S’dua të jem “nga ata të mirët”!
Mësoja në një shkollë fillore të Shkupit, vërtet tejet të bukur nga jashtë. Gjithmonë e kam dashur shkollën dhe arsimin. Kryesisht më nxiste ta kanalizoj atë që e ndjeja thellë në vete. Dhe, e dija se mund ta shfrytëzoj atë potencial të pashtershëm. Por, në atë kohë, para dhjetë vjet, duhej patjetër t’i përshtatesh mjedisit etnik dhe fetar të cilit i takoje. Unë isha përjashtim nga rregulli, gjë që u tregua e mirë për mua. Me një pjesë të “tajfës” sime, siç i quaj edhe sot shokët e fëmijërisë (disa prej tyre nuk i kam parë me vite), ndonjëherë i kujtoj kohërat kur na ndiqnin grupe fëmijësh më të moshuar, për të na rrahur, vetëm për shkak se nuk e kishim përkatësinë e tyre etnike apo orientimin fetar. Ata nuk e dinin se unë nuk jam maqedonas. Nuk i interesonte, nuk pyesnin dhe gjithmonë na rrihnin së bashku, e ne e duronim tërë këtë së bashku.
Kurrë, në fakt, nuk i ndaja njerëzit në bazë etnike, por, e ndjeva dallimin kur një herë shkova në park, me kërkesën e shokut tim, për t’i bërë shoqëri. Kishte dashur, me demek, të më bëjë të filloj ta dua futbollin (përpjekje e dështuar, sipas meje, por, megjithatë, e shoqërova). Ngasja biçikletën buzë Kalasë, udhës më të afërt dhe më të bukur, sipas meje. Vërtet magjepsem sot e kësaj dite kur e shikoj perëndimin e diellit drejt Gjorçes dhe Vllaes, sikur bie meteori dhe i mbulon me tufa zjarri, të cilat nuk ndalen. Një oqean ngjyrash të pafundme.
Por, këtë herë ndjenja ishte pak më ndryshe. E ngasja biçikletën ngadalë drejt vendtakimit – shatërvani në fillim të parkut. Kur arrita atje, pash një grup të madh djemsh të një grupi tifozësh, nga të cilët një pjesë e mirë më shikonte, sikur ua kam vrarë nënën. Dhe, atëherë, ndodhi që shoku im, i cili nuk është pjesa më e kthjellët e ujit, e shqiptoi emri tim, duke bërtitur sa e mbante fyti. Dhe, të gjitha shikimet u kthyen nga unë. E ndjeva adrenalinën, e cila shkoi drejt këmbëve të mia. Zemra filloi të trokiste fortë dhe e dija se duhej të zhdukesha. Disa fëmijë filluan të vrapojnë pas meje, duke bërtitur: Shiptar! Kape shqiptarin!
Kërcyen edhe shokët e shokut tim derisa e ktheja biçikletën dhe duke u përpjekur të iki, i qetësuan djemtë të cilët m’u drejtuan mua. Përnjëherë gjithçka u qetësua dhe shoqëria që më njihte erdhi te unë për të më mbrojtur, në një mënyrë mashkullore, të cilën deri atëherë nuk e kisha parë. Thjesht, nuk kuptoja dhe nuk desha të pranoj se jam i ndryshëm nga ata, nga kush do qoftë. Dhe, sidomos, se duhet të jem i rrahur për shkak të kësaj!
Atëherë më thanë diçka që ma ndryshoi perspektivën e botës përgjithmonë: S’është ky si të tjerët. Nga të mirët është.
U përshëndeta me shokun, për të cilin e di se s’kishte qëllim të keq, por isha thellë i ofenduar. Nga perspektiva e sotme, s’isha shumë i ofenduar personalisht, aq sa për të gjitha çastet kur të afërm të mi (por edhe njerëz të tjerë, në situata kur kam qenë dëshmitar) kanë akuzuar dikë vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike apo fetare. Ky ishte çasti i zgjimit tim. Nga atëherë, nuk lejoj që dikush para meje të ndjehet i ndryshëm apo i dëbuar nga shoqëria për shkak të dallimeve kombëtare apo fetare.
Prandaj, më prek kur e shikoj Shkupin tim si një qendër të veprimtarive të dhunshme, për të cilat e di se nxiten nga faktori i jashtëm. Këtë e di, sepse jam një njeri i cili i do njerëzit dhe përpiqet t’i kuptojë dhe t’i respektojë. Rrahjet të cilat ndodhin mes përfaqësuesit e të gjitha kombësive, ato fëmijërore apo për ndonjë vajzë, ose nën ndikimin e alkoolit, kuptohet se nuk i aprovoj. Por, edhe ato janë në njëfarë mënyre devijime “më normale” në sjelljen njerëzore, në krahasim me rrahjet gjithnjë e më të shpeshta, të orkestruara, sipas meje, nëpër rrugët e qytetit tim. Aq njerëz të dhunshëm nuk mblidhen aq lehtë, pa ditur askush. Disa struktura politike, të cilave u konvenon i tërë ky kaos, i kontrollojnë rrahjet! Ka ardhur koha që të kthjellohemi dhe të kuptojmë se nëse nuk i tejkalojmë moskuptimet të cilat na ndajnë deri në thelb, kurrë s’do të bëhemi një.
Dhe, dikush nga prapavija, do të manipulojë dhe do të kontrollojë, përgjithmonë.
Ermin Klimenta
Burimi: Civil – Qendra për Liri (18.08.2015). S’dua të jem “nga ata të mirët”!