Kuptimet themelore

Ç’është gjuha e urrejtjes?

Nuk është aspak e lehtë të definohet domethënia e shprehjes “gjuhë e urrejtjes” që përdoret në kontekste të ndryshme. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tërheq vërejtjen se nuk ekziston definicion i pranuar universalisht për gjuhën e urrejtjes.

Zakonisht, si orientim përdoret ky definicion I hapur për “gjuhën e urrejtjes”, që nuk i përfshin në mënyrë eksplicite të gjitha format e pranuara:

“…të gjitha format e të shprehurit që përhapin, nxisin, promovojnë ose arsyetojnë urrejtje racore, ksenofobi, antisemitizëm ose forma të tjera të urrejtjes, të bazuara në jotolerancë, duke e përfshirë edhe jotolerancën e shprehur në formë të nacionalizmit agresiv dhe etnocentrizmit, diskriminimit ose armiqësisë ndaj pakicave, emigrantëve dhe personave me origjinë emigrante.”

(Rekomandimi nr. R(97)2 i Komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës për gjuhën e urrejtjes i vitit 1997 (Shtojcë)).

Në kuptimin më të gjerë, gjuha e urrejtjes përdoret për të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin, promovojnë ose arsyetojnë urrejtje të bazuar në jotolerancë, mbi çfarëdo baze të diskriminimit. Gjuha e urrejtjes është keqpërdorim i lirisë së të shprehurit që përkon me shkeljen e të drejtave të të tjerëve.

Gjuha e urrejtjes nuk e përfshin vetëm të folurit ose tekstin e shkruar, por mund të përfshijë forma të ndryshme të të shprehurit: përdorimin publik të simboleve të urrejtjes (për shembull, kryqit të thyer (svastikës) ose kryqit të djegur), posterët, fletëpalosjet, karikaturat, grafitet, muzika, videoja, video-lojërat ose përmbajtjet e publikuara nëpërmjet mediave tradicionale ose në internet.

Shembuj për gjuhën e urrejtjes

1) Gjatë fushatës zgjedhore shpërndahen fletushka me slloganin: “Të kundërshtojmë islamizmin e Maqedonisë”, “Stop për politikën artificiale për integrim” dhe “Shqiptarët të shkojnë në Shqipëri”.

2) Aktivistë partiak shpërndajnë materiale në shkollat në të cilat homoseksualiteti është përshkruar si “orientim seksual I devijuar” e cila ka “efekt moral shkatërrues mbi esencën e shoqërisë” dhe se është përgjegjëse për zhvillimin e HIV-it dhe SIDËS.

3) Kryeredaktori publikon kolumnë se „nuk ka lloj më tolerant se lloji I homoseksualëve“

4) Poster partiak me parullën: “Islami jashtë Maqedonisë. Stop terrorizmit islamik “.

Ç’është gjuha e urrejtjes “onlajn” dhe gjuha e urrejtjes në internet?

Në kuptimin më të gjerë, me gjuhën e urrejtjes “onlajn” (“sajber-urrejtje”) nënkuptohet çdo lloj përdorimi i teknologjisë së komunikimeve elektronike për përhapjen e përmbajtjeve antisemite, raciste, ksenofobe, diskriminuese, ekstremiste ose terroriste.

Gjuha e urrejtjes “onlajn” është më e gjerë se sa shprehja e gjuhës së urrejtjes në internet, për shkak se nuk i përfshin vetëm përmbajtjet në internet (uebfaqet, rrjetet sociale, përmbajtjet e gjeneruara nga shfrytëzuesit, bloget, lojërat onlajn, e-mailet etj.), por edhe përmbajtjet e telefonave celularë.

“Ç’është sajber – maltretimi”?

Sajber-maltretimi është përdorimi i komunikimeve elektronike në kontekst shkollor, me qëllim që të shqetësohet, frikësohet, pengohet ose t’I shkaktohet dëm fizik ndonjë nxënësi/nxënëseje për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, fesë, prejardhjes nacionale, përkatësisë etnike, orientimit seksual, gjymtësisë, gjinisë, identitetit gjinor ose shprehjes së ndonjë karakteristike tjetër personale.

Ç’është “ueb-faqe e urrejtjes”?

Ueb-faqe e urrejtjes është ueb-faqja që mbahet nga ndonjë grup i organizuar për urrejtje, ku shprehet urrejtje (ndaj ndonjë personi ose ndonjë grupi) ose ku ofrohen informata se si të përkrahen qëllimet ideologjike të grupit të urrejtjes.

Ç’janë veprat nga urrejtja?

Veprat e bëra nga urrejtja janë vepra penale të motivuara nga paragjykimet, ku autori me qëllim e zgjedh viktimën me ndonjë karakteristikë të mbrojtur me ligj (bazë për diskriminim).

Veprat onlajn nga urrejtja i përfshijnë ato vepra penale që kryhen me anë të komunikimeve elektronike.

Materialet raciste dhe ksenofobe

Sipas protokollit shtesë të Konventës për krimin në internet, materiali racist dhe ksenofob nënkupton çdo material të shkruar, çdo fotografi ose çfarëdo qoftë paraqitjeje tjetër të ideve ose teorive që përfaqësojnë, promovojnë ose nxisin urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilit do qoftë individ ose grup, në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes nacionale ose etnike, si dhe fesë, nëse ajo është shfrytëzuar si arsyetim për ndonjërin nga këta faktorë.

Sistemi kompjuterik

Në Kodin Penal “Me sistem kompjuterik nënkuptohet cila do qoftë pajisje ose grup i pajisjeve të ndërlidhura, prej të cilëve, njëra ose më tepër prej tyre, bëjnë përpunimin automatik të të dhënave sipas një programi të caktuar.”