Platforma e përshëndet komunikatën dhe kërkesën për ndjekjen penale nga ana e Shoqatës së gazetarëve (SHGM) dhe Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe të punëtorëve mediatikë (SPGPM) në lidhje me përhapjen dhe promovimin e gjuhës së urrejtjes nga ana e Milenko Nedellkovskit [2]. Në fakt, personi Milenko Nedellkovski, i cili është person publik, është vërejtur se disa herë e përhap dhe e promovon gjuhën e urrejtjes, si në profilin e tij në Facebook, ashtu edhe në tekstet (kolumnat) e publikuara. Gjuha e urrejtjes me të cilën shërbehet Nedellkovki bazohet në baza të ndryshme dhe provokon përhapjen e mëtutjeshme të gjuhës së urrejtjes nga njerëzit e tjerë, në formë të komenteve dhe reagimeve. Në rastin konkret, të cilit i referohet komunikata e SHGM-së, gjuha e urrejtjes është e orientuar drejt gazetarëve, ndërsa në rastet e tjera si viktima të gjuhë së tij të urrejtjes identifikohen përfaqësuesit politikë, aktivistët qytetarë dhe pjesëtarët e grupeve të margjinalizuara. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes nga ana e Nedellkovskit, u regjistrua edhe na përfaqësuesit e lartë të organizatës ndërkombëtare OSBE, të cilët reaguan duke e dënur atë, dhe kërkuan reagim nga Këshilli për etikë në media. [3]

Anëtarët e Platformës në disa raste bënë parashtresa deri te Ministria për Punë të Brendshme dhe Prokuroria publike, mirëpo asnjë rast nuk është procesuar, e as që janë ndërmarrë masa për ndjekje penale nga ana e organeve kompetente. Konstatimet nga ana e prokurorisë publike se personi nuk ka kryer vepër penale të shkaktimit të urrejtjes, diskriminimit ose të dhunës, janë për t’u habitur, duke pasur parasysh se në këtë rast, mirëpo edhe në raste të tjera, Nedellkovski drejtpërdrejt kërcënohet se do të shkaktojë dhunë. Në një rast të ngjashëm, më 12.07.2015, Nedellkovski kërcënohet me dhunë ndaj gazetarit Vlladimir Petreski, redaktor i Shërbimit për verifikimin e fakteve në medie, duke thënë se “personalisht do t’i qërojë hesapet me të”. Më 24.10.2014, në profilin e tij në Facebook, Milenko Nedellkovski duke përdorur gjuhë të urrejtjes, e arsyeton sulmin ndaj klubit “Damar” ku festohej ditëlindja e Qendrës për mbështetje të LGBTI, që ishte vepër e urrejtjes. Që kur është parashtruar padia penale [4], prokuroria akoma nuk ka inicuar procedurë gjyqësore.

Prandaj, Platforma u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin masa urgjente për ndjekjen dhe ndëshkimin e Milenko Nedellkovskit. Ndëshkimi adekuat do ta parandalojë dhe do ta pengojë përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe thirrjen për dhunë në të ardhmen.


 

[1] Anëtarë të platformës janë Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, Metamorfozis – Fondacioni për internet dhe shoqëri, IMM – Instituti maqedonas i medieve, Civil MK, FAR (MOF), Paktis – Prilep

[2] http://www.znm.org.mk/drupal-7.7/mk/node/987

[3] http://24vesti.mk/sovetot-za-etika-vo-mediumite-reagira-za-upotrebata-na-govor-na-omraza

[4] Padia penale u parashtrua nga ana e “Koalicionit për të drejtat seksuale dhe shëndetësore të bashkësive të margjinalizuara”, Komiteti i Helsinkit dhe Qendra për mbështetje të LGBTI-së