Gjuha e urretjes në Maqedoni shkakton vepra penale
Kohëve të fundit në Maqedoni gjithnjë e më aktual është problemi i mos dallimit mes lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes në internet. Posaçërisht të rinjtë në rrjetet sociale nxisin tema me përmbajtje urrejtëse duke mos pasur njohuri të mjaftueshme se si dënohet gjuha e urrejtjes sipas Kodit penal të Republikës së Maqedonisë.
Çfarë është gjuha e urrejtjes?
Në kuptimin më të gjerë, gjuha e urrejtjes përdoret për të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin, promovojnë ose arsyetojnë urrejtje të bazuar në jotolerancë, mbi çfarëdo baze të diskriminimit. Gjuha e urrejtjes është keqpërdorim i lirisë së të shprehurit që përkon me shkeljen e të drejtave të të tjerëve dhe kërcënon të drejtën e lirisë së shprehjes në çdo shoqëri demokratike.
A ka mekanizma parandalues?
Në Maqedoni kontribues më i madh kundër gjuhës së urrejtjes është Fondacioni Metamorfozis. Përmes projektit “Liria e shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes”, kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve të aktivistëve të sektorit civil për njohjen dhe kundërshtimin e gjuhës së urrejtjes në internet, përmes krijimit të burimeve publike në dispozicion, trajnimeve dhe duke siguruar platformë për rrjetëzim dhe inicimin e nismave për avokim dhe ndërgjegjësimin e publikut. Fokusi i punës së Metamorfozis është përdorimi i teknologjive të reja për zhvillim, duke përfshirë të drejtat digjitale, sidomos lirinë e shprehjes dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes në internet.
Drejtori i fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari thotë se përkundër asaj që paraqet vepër penale, gjuha e urrejtjes është shumë e pranishme në Maqedoni. Duke filluar nga përmbajtja e grafitive në muret e shumë qyteteve, në mediat tradicionale e deri te rrjetet sociale e mediumet në internet, përshkruan ai.
“Ende më shqetësues është fakti se gjuha e urrejtjes përdoret edhe nga persona publik dhe kjo nuk sanksionohet. Kjo dukuri është ende më e rrezikshme në Internet për shkak të natyrës së hapur të tij, e cila mundëson që gjuha e urrejtjes të përhapet shpejt dhe në mënyrë të pakontrolluar. Andaj edhe pasojat janë ta paparashikueshme dhe ashtu si një xixë që mund të ndez një zjarr, ashtu edhe një përmbajtje me gjuhë urrejtjeje mund të shndërrohet në dhunë me përmasa të paparashikueshme. Gjuhës së urrejtjes duhet ti kundërvihemi duke mos heshtur, duke reaguar dhe dënuar atë publikisht. Gjithashtu duhet të paraqitet në institucionet përkatëse dhe të sanksionohet në mënyrë adekuate. Edukimi, sidomos i fëmijëve dhe të rinjve, është njësoj një aspekt shumë i rëndësishëm i luftës kundër gjuhës së urrejtjes, sepse ndihmon që ajo të identifikohet dhe parandalohet. Mu për këtë arsye Fondacioni Metamorfozis ka botuar shumë resurse edukative për të gjithë përdoruesit e internetit, me qëllim që të rritet vetëdija për këtë dukuri negative dhe të aftësohemi për përdorim të përgjegjshëm të internetit. Të gjithë resurset janë falas dhe të qasshëm në internet në më shumë gjuhë, në ueb faqet: http://crisp.org.mk/, http://mosurrej.mk/ dhe http://metamorphosis.mk.“
Në disa udhëzues të cilat Fondacioni Metamorfozis i ka përpiluar për të gjitha grup-moshat gjuha e urrejtjes definohet si: Gjuhë e anshme, armiqësore, keqdashëse e orientuar drejt një njeriu ose grupi njerëzish, për shkak të disa karakteristikave që i kanë ose që u përshkruhen se i kanë.
Gjuha e urrejtjes paraqet sjellje diskriminuese, kërcënuese, antagoniste, e cila shumë shpesh bazohet në paragjykime ndaj njerëzve, për shkak të gjinisë së tyre, orientimit seksual, racës, fesë, përkatësisë etnike, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes kombëtare, ndonjë lloji të pengesës (mentale, intelektuale ose fizike). Gjuha e urrejtjes ka për qëllim të lëndojë, ta paraqesë dikë si më pak njeri se sa të tjerët, të shqetësojë, të përbuzë, të nënçmojë, të degradojë dhe të nxisë pandjeshmëri dhe brutalitet ndaj grupeve të caktuara të njerëzve për shkak të karakteristikave të tyre.
Edhe pse në Republikën e Maqedonisë kemi masa ndëshkuese që e rregullojnë gjuhën e urrejtjes, deri tani nuk kemi pothuajse asnjë praktikë ligjore. Prej shkurtit të vitit 2014 në Republikën e Maqedonisë kanë hyrë në fuqi dispozitat e reja ligjore me të cilat ndalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes dhe përhapja e materialeve nëpërmjet internetit, me të cilat promovohet ose nxitet urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë njeri ose grupi, në çfarëdo baze të diskriminimit. Me ndryshimet e fundit në nenin 319 nga Kodi penal (Gazeta zyrtare e R. së Maqedonisë, nr. 27 të datës 05.02.2014) është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet, për secilin që do shkaktojë ose që do nxisë urrejtje, përçarje ose mosdurim, sipas ndonjë baze për diskriminim.
Në disa media të Maqedonisë dhe në rrjetet sociale, sidomos pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike nga ana e partisë politike opozitare LSDM, disa politikanë në pushtet në disa raste përdorin fjalë me përmbajtje urrejtëse, me atë që shumë të drejta të njeriut ishin të shkelura.
Në Kuvendin e parë të regullt të Këshillit për etikë në mediat e Maqedonisë i cili u mbajt më 27.05.2015, u konstatua se gjuha e urrejtjes përveç asaj që ishte e pranishme në disa media tradicionale të vendit ajo poashtu nuk mungoi as në disa prej portaleve të internetit të cilat sipas kryetarit të Komisionit të ankesave të KEMM-it, Mirçe Adamçevski, në periudhën nga dhjetori i vitit të kaluar, komisioni ka shqyrtuar 34 ankesa, prej të cilave kryesisht kanë të bëjnë me praninë e gjuhës së urrejtjes në media. Ai shtoi se shumica e tyre janë zgjedhur me anë të ndërmjetësimit apo faljes nga ana e mediave.
Gjuha e urrejtjes si gjenerator i veprave penale të urrejtjes duhet parandaluar, nëse vëreni atë apo jeni viktimë e gjuhës së urrejtjes në internet raportoni atë duke ndjekur udhëzuesin adekuat për raportimin e gjuhës së urrejtjes në internet të përpiluara në kuadër të projektit “Mos urrej në internet” i implementuar nga ana e Fondacionit Metamorfozis.
Burimi: Portalb.mk (26.06.2015). Gjuha e urretjes në Maqedoni shkakton vepra penale